Një 40-vjeçar është ndaluar nga policia si i dyshuar kryesor për sulmet me bomba molotov, kapsolla, flakadanë, sende të forta, ndaj institucioneve shtetërore dhe punonjësve të policisë gjatë protestës së 11 Majit.

Në një njoftim për shtyp, policia tha se bazuar në prova, pamje filmike, raporte shërbimi dhe prova të tjera të grumbulluara në lidhje me aktet e dhunës ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore në protestën e opozitës të datës 11 Maj 2019, u bë kapja dhe ndalimi i 40-vjeçarit M. Q., lindur në Tropojë e banues në Tiranë.

Ai do të përballet në gjykatë me akuzat për “

Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime te paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Goditja për shkak të detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”.

40-vjeçari akuzohet se ka kundërshtuar dhe goditur në detyrë punonjësit e Policisë së Rendit, që ishin dislokuar me shërbim para godinës se Kryeministrisë dhe Parlamentit dhe në bashkëpunim me persona të tjerë, ka hedhur bomba molotov, flakadanë, fishekzjarrë dhe kapsolla, në drejtim të forcave të rendit dhe Kryeministrisë.

Gjatë protestës kanë mbetur të plagosur 16 punonjës të Policisë, të cilët morën ndihmën në spitalin e Traumës. Si pasojë e përdorimit të bombave molotov, fishekzjarreve, kapsollave e sendeve të tjera, janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në institucionet shtetërore.

Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar, të përfshirë në këto veprime të kundraligjshme./tvklan.al