Një 22-vjeçar që prej ditësh ishte në kërkim nga Policia e Tiranës është vënë në pranga. 22-vjeçari Kristi Çinari, akuzohet se ka vjedhur me armë filialin të një institucioni financuar në rrugën “Bardhyl” në 23 Janar dhe një farmaci në 21 Janar.

Çinari mësohet se ka rënë në pranga teksa ka tentuar të kryejë një vjedhje tjetër. Ai ka tentuar të vjedh zyrat e UKT-së, ngjarje e ndodhur më datë 08.02.2021, në rrugën “Sitko Çiço”.

Të treja vjedhjet i ka kryer në të njëjtën mënyrë, pasi ka kërcënuar punonjësit me një pistoletë çakmak dhe ka shkuar i maskuar.

Pas arrestimit, policia ka kryer një kontroll në banesën e tij ku i ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë çakmak, “e cila është përdorur për kryerjen e vjedhjeve, pasi është fiksuar nga kamerat e sigurisë“.

Po ashtu mësohet se në momentin e arrestimit i riu është prezantuar si Besim Krasniqi, pasi kishte në zotërim një kartë identiteti të shtetit të Kosovës, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar.

Tashmë i riu akuzohet për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Vjedhja” e mbetur në tentativë dhe “Falsifikimi i dokumenteve”./tvklan.al