Guardia di Finanza italiane bllokoi një gomone me 400 kg marijuanë, që dyshohet se ishte nisur nga brigjet shqiptare. Në prangat e policisë ranë dy skafistët shqiptarë, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur.

Operacioni i Guardia di Finanzas u zhvillua gjatë orëve të natës, pas pikasjes së një mjeti të paidentifikuar pranë portit të San Cataldos, në Leçe.

Menjëherë nisi ndjekja në det të hapur dhe u bë i mundur bllokimi i gomones së gjatë 6 metra, me dy motorë të fuqishëm. Në bordin e saj agjentët e Guardia di Finanzas sekuestruan 14 pako me marijuanë.

Sipas mediave në vendin fqinj, vlera e drogës së sekuestruar arrin në 4 milionë Euro.

Bëhet fjalë për ngarkesën e dytë brenda pak javëve. Më 29 prill autoritetet italiane bllokuan një gomone me mbi 1.5 ton marijuanë dhe arrestuan dy trafikanët shqiptarë.

Prej fillimit të këtij viti rreth 3 ton kanabis të ardhuar kryesisht nga vendet e Ballkanit, janë sekuestruar në brigjet e Puljas. Në total nga këto operacione janë bllokuar 9 gomone dhe janë arrestuar rreth 70 persona.

Tv Klan