Një gomone që transportonte rreth 500 kg kanabis me vlerë 5 milionë Euro u kap nga policia italiane gjatë një operacioni të përbashkët me autoritetet shqiptare. Në pranga ranë 4 persona. Policia italiane arrestoi 2 skafistët me mbiemrat Skëndaj dhe Soda, përkatësisht 45 dhe 34 vjeç.

Ndërsa pala shqiptare u vuri prangat dy punonjësve të policisë kufitare të “Tri Portit”. Të arrestuar janë nënKomisar Bledar Kuçi me detyrë përgjegjës turni dhe Inspektor Idlir Ajazaj, me detyrë ndihmës kontrollor. Sipas hetimit, policët kanë regjistruar gomonen në hyrje në pikën kufitare të Triportit, por jo në dalje, të kësaj pike kufitare.

Kur gomonia konstatuar në det të hapur dhe po ndiqej nga “Guardia Di Finanza”, u është kërkuar konfirmim dy policëve të arrestuar nëse kishte dalë në lundrim ndonjë gomone. Dy policët kanë mohuar këtë fakt, por kur gjithçka u verifikua ata përfunduan në pranga.

Operacioni për kapjen e gomones u zhvillua natën e të shtunës në kanalin e Otrantos. Guardia di Financa italiane e ndihmuar nga një avion dhe ekipet Frontex, u vunë në ndjekje të mjetit lundrues 7 metra të gjatë me 2 motorë e 200 kuaj fuqi. Operacioni nisi pasi policia shqiptare sinjalizoi palën italiane për një gomone, që sipas të dhënave konfidenciale po përdorej për trafik droge me destinacion brigjet pulieze. Hetimet vijojnë me palën italiane për zbulimin e të tjerë bashkëpuntorëve.

Tv Klan