Kapet hajduti “serial” i makinave



Kapet hajduti “serial” i makinave

10:54 07/01/2021

Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, evidentimin dhe kapjen e autorëve, si rezultat i një pune intensive dhe të mirorganizuar, falë shërbimeve grackë të ngritura për këtë qëllim, shërbimet e Komisariatit Nr. 4 arrestuan në flagrancë gjatë operacionit policor të koduar “Shupenza”, M. O., 39 vjeç, banues në Dibër, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasja” e mbetur në tentativë.

Nga hetimet dhe provat e siguruara ka rezultuar se ky shtetas është autor i dyshuar i 8 rasteve të vjedhjes dhe tentativës për vjedhje automjetesh në qarkun e Tiranës.

Gjithashtu, nga kontrollit i servisit të këtij shtetasi, në Shupenzë, Bulqizë, në bashkëpunim me Policinë e Bulqizës, është gjetur dhe sekuestruar një automjet pa targa, i dyshuar në pronësi të A. K., i vjedhur nga M. O. më datë 16.10.2020, pjesë automjetesh dhe sende që përdorte për të kryer vjedhjet.

Nga provat e siguruara ka rezultuar se ky shtetas studionte vendet dhe mjetet që vidhte, vepronte në orët e vona të natës, duke krijuar kushte dhe duke ndërprerë ndriçimin elektrik të vendeve ku ishin parkuar këto automjete. Po nga hetimet dyshohet se ky shtetas, makinat e vjedhura i çmontonte për t’i shitur për pjesë këmbimi.

Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera, në të cilat mund të jetë të implikuar ky shtetas./tvklan.al






Të ngjashme