Kapet “koka” e sulmit me armë tek hoteli në Pogradec


Kapet “koka” e sulmit me armë tek hoteli në Pogradec

09:31 12/08/2020

Policia ka arrestuar të gjithë personat e përfshirë në ngjarjet e 1 dhe 8 Gushtit kur u qëllua me breshëri automatiku ndaj një hoteli me turistë në Pogradec. Në pranga është vendosur Ilirjan Berberi, 52 vjeç dhe tre bashkëpunëtorë të tjerë të tij.

Berberi dyshohet të ketë rolin e organizatorit të ngjarjeve të ndodhura në hotelin Voloreka. Fillimisht, ai sëbashku me bashkëpunëtorët e tij kanë kanosur me armë pronarin e saj, Jetmir Muçllarin. Ndërkohë më vonë kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të hotelit duke shkaktuar dëme në godinë, por edhe tek 7 makina të parkuara që i përkisnin pushuesve.

Operacioni për kapjen e këtyre personave u kodua “Driloni” e gjatë aksionit morën pjesë edhe forcat Renea. Mësohet se Berberi kishte ngritur një çadër në pyllin e fshatit Vërdovë, në Pogradec për t’u strehuar dhe për t’i shpëtuar policisë. Në momentin e arrestimit, atij iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një pistoletë me 59 fishekë që e kishte pa leje.

Berberi sipas policisë është një person me precedentë të theksuar kriminalë.

“Ndaj shtetasit I. B., Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kanosja për të mos kallëzuar”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “Prishja e qetësisë publike” kryer në bashkëpunim”, për ngjarjen e ndodhur më datë 10.02.2020, në lagjen nr. 3 përpara Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, ku në bashkëpunim me shtetas të tjerë 52-vjeçari ka kanosur pronarin e hotelit për të mos dëshmuar në një seancë gjyqësore, si edhe kanë kundërshtuar punonjësit e policisë dhe IEVP gjatë kryerjes së detyrës”, thuhej në njoftimin e policisë.

Ndërkohë në pranga gjatë operacionit Driloni ranë edhe I.M., 29 vjeç; A. Xh., 29 vjeç, të dy banues në Zvezdë, Maliq dhe E. H., 32 vjeç, banues në Pojan, Maliq (i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”). Më herët në lidhje me këtë ngjarje është arrestuar edhe 34-vjeçari M. Topuzi, i cili dyshohet se është personi që ka qëlluar me breshëri drejt hotelit.

Policia u ka sekuestruar këtyre personave një motor Suzuki, dy skafandra dhe armët me të cilat terrorizuan dhjetëra pushues që qëndronin në hotel Voloreka. Në këtë mënyrë, numri i personave të vënë në pranga për këtë ngjarje shkon në 5.

Mëngjesin e 8 Gushtit dy persona të maskuar me kapuça qëlluan breshëri plumbash duke terrorizuar burra, gra dhe fëmijë që kishin zgjedhur të pushonin këtë fundjavë në Pogradec.

Pjesa më e madhe e plumbave u qëllua drejt dhomës ku flinte djali 20-vjeçar i Jetmir Muçllarit. Të terrorizuar nga ngjarja, pushuesit në hotel thanë se breshëritë e kallashnikovit zgjatën për disa minuta duke i vënë në rrezik jetën fëmijëve të tyre./tvklan.al




Të ngjashme