Me 2 patenta të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe me 800 mijë euro në kroskotin e makinës një 25-vjeçar tentoi t’i ikë policisë në rrugën nacionale në afërsi të Balldrenit. I riu është Orest Lefter Sota, banor i Tiranës. Por ai u kap më tutje nga një patrullë policie dhe u ndalua. Pak kohë pas shoqërimit atij iu komunikua masa e arrestit, ndërsa paratë  iu sekuestruan pasi nuk justifikoi burimin.

Ndërsa për dy patentat për mjete lundrimi të ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, Tv Klan mëson se ai ka deklaruar në polici se i kishte harruar miku i tij që ishte shofer i ish-ministrit të Brendshëm. Këto janë fotot e  dy patentave që mbajnë gjeneralitetet dhe fotot e Saimir Tahirit, të siguruara nga Tv Klan, njëra prej te cilave e  lëshuar në 26 korrik 2017.

Për paratë ai ka thënë se po i çonte në “Kurum” për të bërë një pagesë për hekur për llogari të babait të tij që punonte në sektorin e ndërtimit. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha shpërndau një deklaratë duke akuzuar policinë se ka fshehur ngjarjen.

“Me datë 01/11/2017 është arrestuar nga Policia e Elbasanit shtetasi Orest Lefter Sota sepse nuk i ka ndaluar postbllokut të Policisë. Gjatë kontrollit në automjet i janë gjetur dhe sekuestruar 800 mijë Euro dhe dy dëshmi aftësie për drejtim automjeti në emër të Saimir Tahirit. Ky rast nuk është bërë publik në njoftimet që bën policia. Duke dënuar ashpërsisht fshehjen e kësaj ngjarje kriminale nga Haki Çako dhe Fatmir Xhafa me urdhër të Edi Ramës, i kërkoj Prokurorisë të hetojë e të mos shmangë nga përgjegjësia autoret dhe urdhëruesit e këtij akti mafioz.”

Por policia e përgënjeshtroi duke thënë se ngjarjen e kishte publikuar në këtë komunikatë zyrtare të datës 2 nëntor ku thotë se:

“Me Datë 02. 11. 2017, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit O.S vjeç 25, banues në Tiranë, administrator i një subjekti privat sh.p.k pasi më datë 01.11.2017, në rrugën nacionale, në fshatin Balldren, u kap duke drejtuar pa leje drejtimi mjetin “Land Rover” dhe nga kontrolli në mjet ju gjetën e bllokuan një sasi e madhe eurosh, i cili pretendonte se do t’i përdorte për likujdimin e faturave, por të pa shoqëruara me dokumentin e origjinës. Materialet në ngarkim të këtij shtetasi u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, për Veprat Penale parashikuar nga nenet 291, 242 e 180 të Kodit Penal.”

Prokuroria po heton ngjarjen jo vetëm për të sqaruar burimin e 800 mijë eurove, por edhe si përfunduan në makinën e Sotës dy patentat për lundrim të ish-ministrit Tahiri.

Tv Klan