Rasimja Auad, motra e ish-kreut të Shtetit Islamik Abu Bakër al-Bagdadi, kjo që shihni në këtë foto tashmë është në duart e ushtrisë turke. 

Ajo u kap gjatë një operacioni në qytezën siriane të Azazit, jo shumë larg kufirit turk, një nyje e rëndësishme e kontrabandës mes dy territoreve.

Për Ankaranë, kapja e 65-vjeçares është një minierë ari me informacione mbi mënyrën e funksionimit të Shtetit Islamik që do të çojë në shkatërrimin e plotë të strukturës së egër të terrorit. Zëdhënësi i Presidentit Erdogan e konsideroi kapjen e saj një shembull suksesi në operacionin anti-terror të ushtrisë turke në veri të Sirisë.

Megjithatë, mediat ndërkombëtare hedhin dyshime mbi rëndësinë e kapjes së saj. Duke zbuluar detaje nga operacioni, BBC shkruan se ajo jetonte me bashkëshortin dhe 5 fëmijët në një kontejner dhe nuk kishte shtëpi.

Për më tepër Al-Bagdadi kishte shumë motra dhe vëllezër dhe është e paqartë nëse i kishte angazhuar të gjithë në organizatën e terrorit që kishte krijuar. Muajin e kaluar, Al-Bagdadi u vetëvra gjatë një operacioni të trupave amerikane për kapjen e tij në veri të Sirisë.

Tv Klan