Kandidatja e LSI-së në qarkun e Elbasanit, Mimoza Trimi, është kapur sot me një sasi parash në makinën e saj dhe dyshohet se po i shpërndante për të blerë vota.

Klan News raporton se Trimi është shoqëruar në polici pasi është kapur në flagrancë dhe mjeti që drejtohej nga ajo është sekuestruar.

Ngjarja mësohet se është regjistruar në qytetin e Elbasanit, në lagjen “5 maji”, dhe tani Mimoza Trimi është duke u marrë në pyetje nga oficerët e policisë.

Deri më tani nuk ka ende një reagim zyrtar nga Policia e Elbasanit. Po ky nuk është rasti i parë që përfaqësuesit e LSI akuzohen se blejnë vota. Pak ditë më parë u publikua një video e kandidatit Etjon Joka, i cili shihet teksa i jep para një personi dhe i kërkon atij vota.

Ndërkohë dhe opozita ka denoncuar disa raste te blerjes së votës, siç ishte ai i Dibrës ku simpatizantë të PD kapën një makinë me dy zyrtarë të bashkisë dhe i akuzuan ata se kishin para dhe karta identiteti të qytetarëve të Maqellarës./tvklan.al