Një tjetër anëtar i grupit “Bajri” që ishte në kërkim prej një viti është vënë në pranga. 35-vjeçari Nelson Hysa u arrestua mëngjesin e së shtunës në një banesë që e kishte marrë më qira në zonën e “Komunës së Parisit” në kryeqytet.

Hysa akuzohet për disa vepra penale, si pjesëmarrje në organizata kriminale, grup i strukturuar kriminal dhe paracaktim të rezultateve në garat sportive në bashkëpunim. 35-vjeçarit në momentin e arrestimit iu sekuestrua një automjet tip “BMW Seria 3”.

Hysa është person i njohur për policinë pasi në Maj të 2017-tës i shpëtoi një atentati në Shkodër ku mbeti i plagosur. Grupi “Bajri” u godit  nga policia në Shtator të vitit të kaluar, ku fillimisht u arrestuan 11 persona dhe u shpallën në kërkim disa të tjerë.

Nelson Hysa ishte anëtar i fundit i grupit Bajri që ishte në kërkim. Pak kohë më parë u arrestua në Spanjë edhe Enver Bajri që cilësohej si kreu i grupit.

Sipas Prokurorisë, grupi kryente aktivitet kriminal brenda dhe jashtë vendit kryesisht në trafikun e drogërave të forta, gjobëvënie dhe fiksimin e ndeshjeve, por edhe vepra të tjera të rënda penale.

Tv Klan