Pas dy ditë ndjekjeje nga policitë e 3 shteteve është kapur në bregdetin e Malit të Zi gomonia që tentoi të furnizohej me drogë në kanalin e Karaburunit.

Mjeti lundrues mësohet se është kapur nga policia malazeze e mbështetur nga Forcat e Speciale të Marinës Ushtarake dhe Roja Bregdetare Malazeze. Rreth orës 17:30 u bë edhe ankorimi në Portin e Tivarit. Tre persona, dy prej të cilëve me shtetësi malazeze dhe një serb, u arrestuan nga policia.

Një gomone tjetër me dy persona që tentoi t’i vinte në ndihmë u bllokua nga policia malazeze. Dy personat që e drejtonin atë po ashtu u arrestuan. Edhe këta janë shtetas malazezë.

Ndjekja e gomones tri metra të gjatë, me dy motorë të fuqishëm nisi mesditën e së premtes në afërsi të Sazanit. Por ajo arriti t’i shpëtojë ndjekjes nga roja bregdetare shqiptare dhe Guardia Di Finanza.

Për kapjen e saj u kërkua edhe ndihma e anijes “Oriku” si dhe u ngrit në fluturim një helikopter “Cougar” i ushtrisë.

Mjeti lundrues dyshohet  se do ngarkohej me lëndë narkotike në Karaburun me qëllim trafikimin drejt Italisë.  Gjatë kontrolleve të kryera nga policia në këtë zonë u gjetën të fshehura mes shkëmbinjve edhe disa pako me rreth 28 kg kanabis. Policia shqiptare thotë se në asnjë moment operacioni i ndjekjes nuk u ndërpre.

Tv Klan