Ky është Enver Bajri, i cilësuar si kreu i grupit të Bajrave të Shkodrës. 45-vjeçari u vu në pranga në San Huan Alicente të Spanjës. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga policia shqiptare pasi akuzohej se drejtonte grupin që ishte aktiv për një sërë veprash të rënda penale, nga trafiku i drogës, vrasje, vrasje e mbetur në tentativë, krijim të grupi të strukturuar kriminal, organizim i lotarive të palejuara dhe armëmbajtje pa leje. Grupi Bajri u godit disa javë më parë nga Policia e Shtetit në një operacion të koduar me emrin OAZ, ku u arrestuan 11 persona.

Përveç kreut të grupit janë arrestuar më herët në Holandë për llogari të drejtësisë shqiptare edhe  Behar Bajri dhe Samet Halluni, për të cilët kanë filluar procedurat e ekstradimit. Tashmë në kërkim mbetet vetëm Nelson Hysa.

Enver Bajrit në momentin e ndalimit iu gjet një pistoletë, që e mbante pa leje dhe rreth 9 mijë euro. Ai  është dënuar edhe në Itali me 6.6 vite burg për “organizim i emigracionit të paligjshëm”, “shfrytëzim prostitucioni” dhe “falsifikim”.

Prokuroria ka dyshime se grupi Bajri, në bashkëpunim edhe me grupe të tjera kriminale, brenda dhe jashtë Shqipërisë, trafikonte lëndë të forta narkotike në vendet e Bashkimit Europian. Prokuroria i akuzon anëtarët e grupit edhe për dy vrasje të ndodhura në Shkodër, njëra në Shkurt të vitit 2001 dhe tjetra në Qershor të 2002.

Prokuroria po e heton grupin edhe për pastrim parash, një vepër që ka dyshime se kryhej përmes fajdeve, por edhe për gjobëvënieve. Nën hetim pasuror janë edhe pasuritë e të dyshuarve, mes të cilave edhe dy biznese.

Tv Klan