Në kërkim ndërkombëtar, arrestohet në Tiranë gjeorgjiani
Cilësohet si kreu një grupi grabitësish, pritet ekstradimi
Këto janë momentet e arrestimit gjeorgjianit Mindia Lavasogli, që shihni dhe në këtë foto, i konsideruar si kreu i një grupi grabitësish me dhunë në Gjeorgji dhe në vende të tjera.
Arrestimi i 42-vjeçarit u bë në afërsi të zonës së Pazarit të Ri në Tiranë ku i shumëkërkuari strehohej prej disa kohësh dhe përdorte pasaportë false, me emrin e një shtetasi ukrainas.
Kapja e Mindia Lavasoglit u finalizua nga Fast Albania, falë bashkëpunimit me policinë e Malit të Zi.
Burime bëjnë me dije se kanë qenë autoritetet e vendit fqinj që kanë dhënë informacion tek pala shqiptare për dy shtetas ukrainas të cilët do takonin në Tiranë Mindia Lavasoglit.
Gjurmimi i këtyre shtetasve nga Muriqani në kryeqytet çoi policinë në arrestimin e 42-vjeçarit të dënuar në Gjeorgji në 2018 për “Pengim të veprimtarisë profesionale të gazetarit, me anë të kanosjes”, “Grupi kriminal” etj.
Pas arrestimit për Mindia Lavasoglin kanë nisur procedurat e ekstradimit.
Tv Klan