Kapet një prej autorëve të grabitjes me armë ku mbeti i plagosur një person

Foto Ilustruese


Kapet një prej autorëve të grabitjes me armë ku mbeti i plagosur një person

20:30 11/02/2021

4 autorët shkuan për të vjedhur një banesë, por u pikasën nga pronari. I plagosur mbeti kushëriri i të zotit të shtëpisë

4 ishin personat, të cilët mbrëmjen e së mërkurës shkuan për të grabitur shtëpinë e një 57-vjeçari në Roskovec dhe hapën zjarr, duke lënë të plagosur kushëririn e të zotit të shtëpisë. Policia e Fierit njoftoi mbrëmjen e kësaj të enjteje se ka mundur të arrestojë njëri prej tyre. Bëhet fjalë për një 26-vjeçar nga qyteti i Vlorës, i dënuar në të shkuarën për dy vepra penale: Plagosje e vjedhje me dhunë.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, arrestuan në flagrancë shtetasin: E. B., 26 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë për veprat penale “Plagosje” dhe “Vjedhje me dhunë”. Si rezultat i rrethimit në një perimetër të gjerë të zonës dhe kontrollit përgjatë natës dhe paradites së sotme, shërbimet e Policisë kapën 26-vjeçarin me automjetin tip “Nisan”, ku gjatë kontrollit të mjetit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: një kapuç, maskë, një fenelinë dhe një radio si ajo e policisë, tre aparate celularë, një trapan, pesë copë fishekë arme gjahu, veshjet të dyshuara të përdorura në kohën e ngjarjes. Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesën e këtij shtetasi janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: Një armë gjahu, shtatë fishekë arme gjahu, një thikë metalike, tre radio si ato të policisë”.

Të maskuar e të armatosur, autorët u pikasën nga i zoti i shtëpisë, i cili ishte bashkë me kushëririn e tij 47-vjeçar, kur i shkuan në banesë për të vjedhur. Në këtë pikë hajdutët hapën zjarr, duke plagosur në këmbë 47-vjeçarin me iniciale A. Ç.

Autoritetet thonë se vijojnë punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë./tvklan.al







Të ngjashme