Alban Hyka 24 vjeç, i dyshuar si autori kryesor i vrasjes së Luan Koprenckës paraditen e së hënës në Kombinat është arrestuar nga forcat e komisariatit Numër 6, gjatë orëve të pasdites.

Pas krimit ai ishte fshehur në zonën e Ndroqit. Hyka ka pranuar autorësinë e krimit, ndërsa është shprehur se gjithçka ndodhi në gjaknxehtësi e sipër.

“Luan Koprencka është qëlluar me thikë poshtë zemrës rreth orës 10 e 20 minuta në rrugën “Llambi Bonata” në Kombinat”

.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas një konflikti të përsëritur për zhurma dhe derdhje të ujit mes 55-vjeçarit Koprencka dhe të afërimit të dy autorëve pasi jetonin në të njëjtën godinë dykatëshe .

Sipas policisë, konflikti është përshkallëzuar ditën e sotme, ku dy autorët Alban Hyka dhe Vladimir Islami për të mbështetur pronarin e lokalit, kanë goditur për vdekje Koprenckën, me thika dhe mjete të tjera prerëse. Viktima është përpjekur të mbrohet me një tullë, por nuk e ka frenuar dot sulmin.

Shkëlqim Koprencka vëllai i viktimës rrëfen se mosmarrëveshjet kanë qenë të vazhdueshme.

Policia e Tiranës po vijon kërkimet për Vladimir Islamin, që akuzohet si bashkëautor në vrasje.

Tv Klan