Sektori për Narkotikët në DVP Durrës ka zbardhur skemën e organizmit të tentativës për trafikim të sasisë së lëndës narkotike të sekuestruar dy javë më parë në Port Durrës.

Vihet në pranga organizatori, njëherazi edhe poseduesi i 38 kg heroinë.

Në 17 Maj në Port Durrës, nga ushtrimi i kontrollit të imtësishëm në vijën e dytë, në kamionin që drejtonte shtetasi Dh. Z. dhe si rezultat i kontrollit, poshtë sediljeve u konstatuan dy vende të fshehura, brenda të cilave ishin fshehur 68 pako me lëndë narkotike të dyshuar heroinë, si dhe vunë në pranga drejtuesin e kamionit, shtetasin Dh. Z., 49 vjeç, banues në Babrru, Tiranë.

Në vijim të punës për zbardhjen e plotë, identifikimin dhe kapjen e personave organizatorë të kësaj tentative për trafikim të drogave të forta drejt Italisë, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, pas një pune operativo-gjurmuese dhe hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, bënë të mundur sigurimin e provave dhe zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Mbi bazën e provave të grumbulluara, paraditen e sotme, Prokuroria nxori urdhrin e ndalimit për shtetasin P. Ç, 55 vjeç, banues në lagjen nr. 4 Durrës.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në zbatim të urdhrit të ndalimit, e kanë kapur dhe ndaluar shtetasin P. Ç. në afërsi të banesës së tij, në rrugën “Kumini”, në lagjen nr. 4 Durrës.

Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se ky shtetas është organizatori dhe poseduesi i sasisë prej 38 kg heroinë të kapur në datën 17.05.2020, në Portin e Durrësit.

Ndërkohë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Materiale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. /tvklan.al