Dy milionë Euro kap vlera e kokainës e cila është sekuestruar nga karabinierët e Firences mëngjesin e sotëm rreth orës 6:00 në një garazh në rrugën Via Felice Fontana. Sipas mediave italiane në pranga ka rënë 48 vjeçari shqiptar, i cili jetonte prej 22 vitesh në Firence.

Përveç shumës së madhe të drogës, prej 15 kilogramë kokaine, karabinierët i kanë sekuestruar shqiptarit dhe 60,000 Euro Kesh, 10,000 Paund si dhe një pistoletë. Kanë qenë banorët e zonës ata që kanë njoftuar autoritetet policore pasi kishin parë lëvizje të çuditshme në garazhin e shqiptarit, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur.

Policia nisi menjëherë hetimet për të konfirmuar dyshimet e ngritura nga banorët e zonës. Mëngjesin e kësaj të marte, karabinierët vunë re lëvizjet e 48-vjeçarit dhe pasi doli nga garazhi mbante në dorë një qese ku kishte 1 kg kokainë dhe një pistoletë. Ndërsa pjesa tjetër e kokainës, prej 14 kg është gjetur në garazh, si dhe një peshore. Gjithashtu shqiptarit i është sekuestruar dhe makina tip  Volkswagen Passat, të cilën dyshohet se e përdorte për të transportuar drogën. Ai u dërgua në Sollicciano dhe akuzohet për trafik droge si dhe armëmbajtje pa leje./tvklan.al