Policia italiane sekuestroi mëngjesin e së shtunës një skaf me 1.7 ton kanabis në brigjet e Viestes. Në pranga përfunduan 2 trafikantët shqiptarë, për të cilët policia e shtetit njoftoi se janë 38-vjecari me iniciale A.L dhe A.A 36 vjeç.

Sipas autoriteteve shqiptare, gomonia u sinjalizua fillimisht nga policia kroate dhe dyshohet se ajo u nis nga ujërat e tyre territoriale.

Gomonia u pikas nga Guardia di Finanza në ujërat e Viestes, në linjë paralele me brigjet kroate, çka rrit dyshimet se ngarkesa me drogë u nis pikërisht nga Kroacia.

Pas një ndjekjeje të gjatë, forcat italiane të ndihmuara edhe nga helikopterët e agjencisë për mbrojtjen kufitare Frontex, bënë të mundur ndalimin e gomones me dy motorë të fuqishëm.

Në bordin e saj u gjetën 104 pako me marijuanë. Sipas mediave në Itali, vlera në treg e drogës së sekuestruar arrinte në 15 milionë euro.

Policia shqiptare sqaroi se vijon shkëmbimin e informacioneve me agjencitë partnere për të hetuar mbi lidhjet e të ndaluarve shqiptarë si të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

 

Tv Klan