Një tjetër ngarkesë me marijuanë është kapur nga autoritetet italiane në Kanalin e Otrantos. Këtë herë në pranga ka rënë një 41-vjeçar italian nga qyteti i Leçes ndërsa mediat shkruajnë se ngarkesa po i drejtohej brigjeve të Italisë.

Droga ishte fshehur në një fund të dyfishtë në skaf që u zbulua pas kontrollit të imtësishëm të Guardia Di Finanzia. Në total u gjetën 222 pako, të cilat peshonin 352 kilogramë. Në treg droga do të kishte një vlerë prej 3 milionë eurosh.

Gjithashtu autoritetet sekuestruan edhe skafin e përdorur për trafikun e jashtëligjshëm.

Mediat italiane shkruajnë se ky aksion tregon bashkëpunimin e konsoliduar operacional dhe informativ mes autoriteteve shqiptare dhe Guardia Di Finanzias italiane.

Që nga fillimi i vitit në vijën bregdetare italiane janë sekuestruar më shumë se 17 tonë marijuanë, janë arrestuar rreth 40 skafistë dhe janë bllokuar 17 mjete lundruese.

/abcnews.al