Shkenca e Fizikës gjendet sot para një lajmi të madh që pritej prej kohësh.

Shkencëtarët konfirmuan plotësisht kapjen e një vale të re gravitacionale, e kapur në fakt në datën 14 Gusht, por që pritej të konfirmohej plotësisht para se lajmi të bëhej zyrtar.

Ajo është krijuar nga përplasja gjigande e dy vrimave të zeza hapësinore para më shumë se një miliardë vitesh dhe ishte parashikuar nga gjeniu i fizikës Albert Einstein, që 100 vjet më parë.

Fizikantja shqiptare Mimoza Hafizi, thotë se kjo është vala e katërt gravitacionale që kapet prej 2 vitesh. Por ka një veçanti që është kapur për herë të parë nga 3 dedektore, duke rritur shumë saktësinë dhe informacionin që ne marrim.

Sipas Hafizit, me këtë zbulim kofirmohet një nga teoritë e famshme të Fizikës, teoria e relativitetit përmes valëve gravitacionale. Ajo është një derë e madhe që i hapet shkencës dhe njerëzimit për të njohur më thellë origjinën e Universit.

Zbulimi i fundit ngre edhe më lart piedestalin e Albert Einstein, teoria e relativitetit të të cilit tashmë mund të përpunohet edhe më tej.

Burimi: KLAN PLUS

Gazetare: Oljana Maloku