Policia e Kurbinit ka bërë arrestimin e autorit të dyshuar të vrasjes së 24 vjeçarit V.SH, ndodhur mbrëmjen e djeshme.

Si rezultat i punës profesionale të bërë nga grupi i posaçëm hetimor i ngritur nga Policia e Shtetit për zbardhjen e ngjarjes, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin u bë e mundur që brenda një kohe të shkurtër të zbardhej ngjarja si dhe të identifikohej autori i dyshuar i vrasjes.

Policia e Shtetit vijoi kontrollet e pandërprera për lokalizimin dhe kapjen e autorit ku falë edhe bashkëpunimit me familjarët e autorit të dyshuar, në këto momente është bërë arrestimi i shtetasit E. K, 32 vjeç, banues Tiranë, si autor i dyshuar i vrasjes së 24 vjeçarit pas një konflikti të çastit.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Pare Kurbin për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”./tvklan.al