Arrestohen diplomati rus dhe kapiteni i marinës italiane, Ministria e Jashtme thërret ambasadorin rus

Policia italiane ka vendosur në pranga një kapiten të marinës italiane dhe një diplomat rus nën dyshimin e spiunimit pasi të dy u kapën duke shkëmbyer një dokument për para.

Kapiteni Italian dhe zyrtari ushtarak rus i akredituar në ambasadë, u akuzuan për krime të rënda të lidhura me spiunim dhe sigurinë e shtetit. Të dyshuarit nuk u identifikuan nga autoritetet.

Ministria e Jashtme italiane ka thirrur ambasadorin rus Sergej Razov pas arrestimeve. Agjencia ruse e lajmeve RIA citoi ambasadën ruse të thoshte se shpresonte që incidenti të mos ndikonte në marrëdhëniet dypalëshe.

Incidenti ishte i fundit në një seri akuzash spiunimi në muajt e fundit kundër rusëve në vendet evropiane. Bullgaria dëboi zyrtarët rusë me dyshimin e spiunimit në mars dhe Hollanda e bëri atë në dhjetor.

Arrestimet u urdhëruan nga prokurorët e Romës pas një hetimi të gjatë të kryer nga inteligjenca italiane me mbështetjen e ushtrisë. Zyrtari italian u mor në paraburgim, ndërsa pozicioni i rusit ishte ende në shqyrtim.

Policia nuk specifikoi se ku kishin ndodhur arrestimet, duke thënë se asnjë koment i mëtejshëm nuk do të bëhet derisa gjykata të miratojë arrestimin.

Klan News