“Shteti i rremë Islamik ka rënë dhe çlirimi i Mosulit është prova për këtë”

.  Me këtë postim në Twitter, kryeministri irakian, Al-Abadi njofton rimarrjen e vendit të Xhamisë së Madhe al-Nuri, të cilën ISIS e shkatërroi pak ditë më parë.

Shkatërrimi i xhamisë bëri xhiron e mediave ndërkombëtare, pasi u cilësua si një pranim i humbjes nga terroristët, pasi ishte pikërisht në këtë xhami ku lideri i ISIS, Abu Bakr Al-Baghdadi shpalli ‘Kalifatin’ në vitin 2014.

Kryeministri irakian thotë se beteja kundër terroristëve do të vijojë, derisa çdo militant i tyre të eliminohet apo të dërgohet para drejtësisë.

Kapitullimi i ISIS është pranë, thonë forcat e koalicionit, të cilat njoftojnë se në ditët e fundit janë shpëtuar mbi 4 milionë njerëz të mbajtur nën kalifatin e Shtetit Islamik.

Përkrahësit e ISIS janë tërhequr drejt pozicioneve të tjera në Irak dhe drejt Sirisë, ku forcat kurde që mbështeten nga SHBA po shënojnë fitoret e tyre.

Tv Klan