Autoritetet kanë publikuar këtë të martë detaje të reja për operacionin ndërkombëtar që çoi në zbulimin e një sasi rekord prej 400 kilogramësh kokainë në Lipjan të Kosovës. Në një njoftim për mediat vendase, policia e Kosovës zbuloi se gjatë kontrollove të zhvilluara në disa vende janë gjetur e sekuestruar 25 mijë e 925 euro, armë e fishekë, celularë e kompjutera.

“Drejtoria e Hetimeve të Trafikimit me narkotik në koordinim me policinë italiane dhe shqiptare, pas një hetimi të përbashkët gjatë kontrollit në depon e një kompanie kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë në peshë prej 400 kg, ndërsa gjatë kontrollit në disa lokacione tjera janë gjetur dhe sekuestruar: dy revole një TT dhe tjetra me gas, 50 copë fishekë të cal. 7.62 mm, 25925 € para kesh, 200 denar MK, një veturë, 6 telefona celular, 6 PC, dy llap top, katër DVR dhe një Hard Disc. Të gjitha veprimet janë ndërmarre në konsultim me gjyqtaren e procedurës paraprake dhe prokurorin e prokurorisë speciale. Shtatë të dyshuar meshkuj kosovar janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit dërgohen në mbajtje”, thuhet në njoftim.

Kokaina, e cila kapte vlerën e 20 milionë eurove ishte fshehur në një kontenier me mish që ishte nisur nga Brazili. Destinacioni i saj ishte një magazinë në Lipjan, ku dhe u sekuestrua. Sinjalizimi i parë për sasinë e drogës erdhi nga DEA amerikane, që njoftoi autoritetet italiane. Nga ky moment kontenieri u mbajt nën vëzhgim, që nga portet italiane, tek porti i Durrësit e deri në destinacionin e tij final.

Ngarkesa ishte porositur nga një kompani e themeluar 7 muaj më parë nga 2 biznesmenë njëri nga Kosova dhe tjetri nga Shqipëria. Mes të ndaluarve është shoferi i kamionit që nuk e ka pranuar të kishte dijeni për përmbajtjen e ngarkesës./tvklan.al