Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka reaguar pas aksionit që u finalizua me kapjen e 400 kg kokainë në Kosovë, ku në operacion ishin të përfshira policia shqiptare, kosovare, italiane dhe DEA amerikane.

Në një reagim në Facebook, Çuçi thotë se bashkëpunimi mes disa policive çoi në shkatërrimin e një rrjeti të fuqishëm që vepronte në fushën e trafikut të drogës.

Goditja e kontrolluar e grupit kriminal që tentoi të trafikonte rreth 400 kg lëndë narkotike e llojit kokainë në Kosovë, është një tjetër dëshmi e suksesit të luftës së përbashkët kundër trafikut të drogës dhe provë e besimit të lartë të partnerëve te Policia e Shtetit. Hetimi profesional dhe intensiv mes disa shteteve na çoi në shkatërrimin e një rrjeti të fuqishëm në fushën e narkotikëve. Kjo është një luftë e vazhdueshme, që do të pasohet nga operacione të tjera dhe goditje si kjo e fundit, për ta bërë Shqipërinë dhe rajonin më të sigurt”, shkruan ministri i Brendshëm Bledi Çuçi. /tvklan.al