Nga dielli në shi, e sërish diell. Edhe pse surprizat e fillim Tetorit do t’i lënë vendin një moti të qëndrueshëm, luhatjet e temperaturës do të mbeten të theksuara në mëngjes dhe në mbrëmje.

“10 ditshi i dytë i Tetorit do të jetë i qëndrueshëm. Mëngjes i freskët, në drekë vapë dhe në darkë temperaturat bien”, tha meteorologia Lajda Porja.

“Po luhatjet e temperaturës kryesisht  në mëngjes dhe në mbrëmje favorizojnë sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes.”

Doktoresha Silvana Bala, e cilëson një periudhë delikate për rrugët respiratore. Vetëm ditët e fundit ka pasur edhe një rritje të numrit të rasteve të paraqitura në urgjencën e spitalit “Shefqet Ndroqi”.

“Numri i urgjencave kanë variuar nga 10 deri në 15 shtrime që janë bërë në spitalin tonë. Këto kanë qenë bronkopneumoni, pneumoni, asma ose infeksione dytësore tek të sëmurët kronikë.”

Doktoresha këshillon që në këtë periudhë të mos neglizhohen situatat gripale.

“Lëngjet e ngrohta, të përdoret simptomatik antigripal pasi mund të komplikohet në një bronkit, por edhe në një pneumoni.”

Kujdes sipas mjekes duhet patur edhe ndaj përdorimit të kondicionerit.

Tv Klan