Dogana e Kapshticës prej së cilës qarkullojnë rreth tre mijë vetë, ka një panoramë të mjerueshme. Gazetarja e ABC News ka përgatitur një reportazh për kushtet në këtë pikë të kalimit kufitar me Greqinë.

Pirgu i mbeturinave është gjëja e parë që shikon sapo hyn në territorin e Doganës së Kapshticës. Kushedi prej sa kohësh janë aty. Mbeturinat të shoqërojnë edhe në brendësi të doganës. Era e rëndë e bën të vështirë pritjen për të kryer procedurat. Infrastruktura për kontrollin dhe skanimin e mjeteve duket moderne dhe në kontrast të plotë me pjesën tjetër të doganës, në të cilën nuk të sheh syri asnjë kosh mbeturinash.

Kushteve skandaloze të pastërtisë, ju shtohet edhe mungesa e tualeteve publike, problematike kjo që nuk po gjen zgjidhje prej vitesh. Në mungesë të një hapësire të përshtatshme për të qëndruar, qytetarët në dimër dhe verë presin për orë të tëra brenda makinave të tyre. Për emigrantët, krahasimi i kushteve me doganën e vendit fqinj, nuk bën sens. Një tabelë ku anglishtja duket afër shqipes, ju a bën më të lehtë udhëtarëve të kuptuarit e llojit të shërbimit që mund të gjejnë aty.

Edhe për efektivët e policisë kufitare, kushtet janë të vështira .Vendqëndrim në kubature kolibesh.

Aty u duhet të punojnë 8 dhe më shumë orë në ditët e fluksit. Rulota të vjetra dhe telefona publikë jashtë funksionit, plotesojnë panoramën e një prej pikave doganore më të rëndësishme të vendit, ku çdo ditë hyjnë dhe dalin mesatarisht rreth 3 mijë qytetarë dhe nëpërmjet së cilës realizohet edhe një volum i madh i shkëmbimeve tregtare me Greqinë dhe vendet e tjera të Rajonit.

Territori i Doganës së Kapshticës, është në administrim të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, strukturë që është përgjegjëse për kushtet dhe gjendjen aty.

Kush hyn në vendin tonë nga pika doganore e Kapshticës, e ka mëse të qartë se çfarë e pret më tej.

/ABC NEWS