13 vatra aktive në të gjithë vendin

Sipërfaqe të tëra toke në Gadishullin e Karaburunit dhe Gjirokastër vijojnë të jenë nën pushtetin e flakëve. Këto pamje nga lart të siguruara nga Tv Klan tregojnë vatrat e zjarrit në Karaburun, tashmë aktive prej 9 ditësh.

Zjarri që rrezikonte bazën ushtarake të Pashalimanit dhe ai në afërsi të banesave në fshatin Dukat i ri është shuar. Por alarmi i kuq mbetet për vatrën aktive në pjesën e sipërme të Dukatit që kërcënon Parkun e Llogarasë. Ekipet e emergjencës kanë mundur të ndalojnë përparimin e flakëve drejt pyllit, por era dhe terreni i vështirë e pengojnë shuarjen e tyre.

Kur situata po shkonte drejt normalitetit, 4 vatra zjarri u riaktivizuan serish në Gjirokastër mesditën e së mërkurës. Për situatën e vështirë me zjarret, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi tha se jo vetëm ka përgjegjës, por disa prej tyre janë ndaluar.

“Kemi emra, kemi arrestime, për disa ka prova edhe vatrat sa më herët të lajmërohen aq më mirë është. Edhe për zjarrin e Karaburunit kemi emra, kam marr garanci dhe nga ministri i Brendshëm që do të ketë ndalime. Janë ndaluar tre veta, ka të dhëna të mjaftueshme për të vërtetuar që zjarret janë të qëllimshme”.

Ndërsa nga Gjirokastra drejtori i Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen Civile thotë se është bërë evakuimi i plotë i banorëve që rrezikoheshin.

“Është bërë evakuimi i banoreve, janë prekur 7 fshatra nga zjarri…”

Sipas te dhënave të publikuara nga kryeministri Edi Rama, gjatë orëve të mbrëmjes u konstatuan 13 vatra aktive gjatë, përfshire fshatin Cukal në Vaun e Dejës, në Fushë Arrëz, në Selishtë të Dibrës, Zogas të Skraparit dhe Labinot Mal në Elbasan etj.Tv Klan