“Karamelen e ruajti për ta ndarë me motrën”, Fevziu tregon xhestin që i ka mbetur në kujtesë



“Karamelen e ruajti për ta ndarë me motrën”, Fevziu tregon xhestin që i ka mbetur në kujtesë

21:20 25/10/2020

Fundjavë Ndryshe tashmë ka një bashkëpunim të gjerë edhe me personazhe të njohur të fushave të ndryshme. Një prej tyre është gazetari Blendi Fevziu, i cili është pjesë e këtij fondacioni që në hapat e para të tij. Ai i ka dedikuar Fundjavës disa emisione ku ka ngritur fushata për blerjen e shtëpive për disa familje. Në studio, drejtuesi i “Opinion” tregoi për një skenë mjaft prekëse që i kishte mbetur në kujtesë, atë të një djali të vogël që karamelen e ruajti për ta ndarë me motrën e tij.

“Përballë Kodër Kamzës, ishte një histori shumë e trishtë, dhe ndodhi një skenë që ishte shumë prekëse. Një nga fëmijët e mori pakon që ne i dhamë, ishin karamele të vogla dhe e futi në xhep. Ndërsa fëmijët e tjerë e hapën dhe po e hanin. Dhe unë i thashë, po ti nuk po e ha? Jo tha unë nuk i ha karamelet. E ëma e tij që ishte aty, tha po i ha, por po e ruan që ta ndajë me motrën që është në shkollë, kur të vijë nga shkolla. Ishte një nga xhestet që mund të të bëjë më shumë përshtypje, pra një fëmijë në moshën e tij, që kushdo tjetër të ishte, secili nga fëmijët tanë do ta merrte, ta hapte, ta fuste në gojë po t’i pëlqente. Ai e ruajti, e futi në xhep për ta ndarë me motrën e tij. Është një lloj solidariteti, nuk është familjar vetëm, është një solidaritet që shpeshherë imponohet nga kushtet e vështira në të cilat rriten këta fëmijë dhe që padyshim le një gjurmë në jetë, por le një nga gjurmët më pozitive në jetë, atë të solidariteti me të tjerët. Unë kam parë shumë njerëz të cilët kanë pasur një fëmijëri modeste, shpeshherë edhe të varfër dhe janë munduar që të ndihmojnë të tjerët. Siç njoh shumë njerëz të tjerë, që kanë pasur një jetë po  shumë problematike dhe që përkundrazi nuk duan as të dëgjojnë për fenomene të tilla. Pra është shumë njerëzore si e përjeton secili këtë situatë”./tvklan.al





Të ngjashme