Kuqezinjtë, goleadë ndaj Bolonjës

Karantina ka bërë mirë në shtëpinë e Milanit. Kuqezinjtë nuk njohin humbje që prej rikthimit të futbollit dhe këtë e bëjnë me goleadë. Milan mposhti 5-1 Bolonjën në një takim ku shënuan të gjithë.

Saelemaekers zhbllokoi sfidën pas 10 minutash lojë, duke kaluar në avantazh Milanin. Kaq mjaftoi dhe te Bolonja humbasin toruan, duke gabuar. Një largim jo i mirë i portierit gjeti në zonë Calhanoglu, me turkun që e kishte një lojë fëmijësh të tundte rrjetën.

Bolonja tentoi të zgjohet me anë të Tomiyasu. Japonezi shënoi një gol për kartolinë në fundin e së parës, por vetëm kaq, pasi furia kuqezi vijoi edhe në të dytën.

Bennacer dhe Rebic shënuan për 4-1 ndërsa llogaritë i mbylli Calabria në fundin e takimit. Një fitore që gëzon tej mase trajnerin, Stefano Pioli, i cili zbuloi edhe pikën e kthesës.

“Eliminimi kundër Juventusit në Kupën e Italisë na mësoi shumë. Ishte e rëndësishme që të reagonim dhe të bënim mirë në kampionat. Djemtë po argëtohen dhe kjo më pëlqen”.

Kur kanë mbetur edhe 4 javë nga fundi, misioni Liga e Kampionëve është shuar tashmë në shtëpinë e Milanit. Momentalisht kuqezinjtë gjenden në vendin e 6-të me 56 pikë dhe i duhet vetëm një fitore për të siguruar matematikisht pjesëmarrjen në Europa League sezonin e ardhshëm.

Klan Plus