Familja Gjona në Pogradec, pas izolimit nuk po arrin të sigurojë bukën

Megjithëse u bë bashkia e parë që zeroi tarifat vendore për bizneset e mbyllura gjatë muajit Prill, në Pogradec ka shumë familje që jetojnë në kushte të mjerueshme. Familje të cilat nuk marrin as ndihmë sociale, duke rrezikuar kështu që të mbesin edhe pa ushqim.

Ermali dhe Lindita kanë dy vajza dhe janë të dy pa punë.

Puna me ditë dhe izolimi tashmë, e ka lënë në mëshirë të fatit. Por përgjegjësia si baba nuk e lë të qetë. Prej muajsh, ata nuk paguajnë as energjinë elektrike dhe ujin. Edhe vajza vetëm 4 vjeç ka një ëndërr, si çdo fëmijë.

Klan Plus ishte edhe në njësinë administrative të Vërdovës, për t’u interesuar nga afër se çfarë po ndodh me këtë familje dhe pse ajo nuk trajtohet me ndihmë sociale. Ishte bërë shkak puna para dy viteve e Ermalit në kompaninë që kishte marrë tenderin për ndërtimin e rrugës Lin-Pogradec, pengesa e miratimit të kësaj pakete.

Megjithatë, ai nuk punoi më shumë se 6 muaj atje, pra ai ka më shumë se një vit pa punë. Së fundmi është bërë sërish aplikimi që t’i lindë kjo e drejtë, por që të marrë disa para për të blerë ushqim për fëmijët, familja e Ermal Gjonës duhet të presë edhe dy muaj. Madje ai nuk përfiton as nga ndihmat që po shpërndajnë emergjencat civile apo bashkitë për njerëzit në nevojë.

Klan Plus