Skema e subvencionit, si do të mbështeten fermerët në vitin2021

Duke nisur nga Janari i vitit 2021 çdo fermer do të përfitojë mesatarisht rreth 55 litra karburant falas për hektar, në varësi të kulturës bujqësore që kultivon. Fillimisht do të llogaritet sasia e naftës që i duhet çdo fermeri për sipërfaqen e tokës që do të punojë. Në këtë mënyrë qeveria do të heqë nga karburanti për prodhim bujqësor akcizën, taksën e qarkullimit dhe taksën e karbonit.

Janë 47 mijë fermerë të cilët e kanë NIPT-in prej kohësh dhe që do të aplikojnë përmes portalit e-Albania ku do të deklarojnë emrin, NIPT-in, sasinë e tokës në pronësi ose qira dhe tipin e mbjelljes. Ndërsa monitorimi në terren do të bëhet online. Me projekt-buxhetin për vitin 2021, qeveria ka parashikuar një fond 10 milionë dollarë, të mjaftueshëm për të mbuluar me naftë falas nga 47 deri në 70 mijë fermerë, ose 100 mijë hektarë tokë të punueshme.

Ky premtim ishte artikuluar fillimisht kur ishin në opozitë nga ana e Edi Ramës, më 11 Shtator të vitit 2012 dhe nga Gramoz Ruçi në 2 Qershor 2013, por ende bujqit paguajnë një çmim luksi për naftën, si vendi i 4-t në glob për naftën me çmimin më të shtrenjtë edhe pse një vend prodhues i saj.

Aktualisht, akciza e naftës është 37 lekë/litër dhe bujqit duhet ta paguajnë karburantin njëlloj si të gjithë qytetarët. Ndërkaq shqetësim është edhe taksa e qarkullimit, që momentalisht është 27 lekë/litër. Sipas të dhënave të përditësuara për çmimin e naftës nga Global Petrol Prizes, një litër naftë në Shqipëri kushton mesatarisht 169 lekë.

Brenda këtij çmimi futen akciza, taksa e qarkullimit dhe disa taksa të tjera. Ky çmim në Serbi është 139 lekë, në Mal të Zi 116 dhe në Maqedoninë e Veriut 98 lekë për litër. Pra, bujqit në të treja vendet e sipërpërmendura kanë një barrë më të lehtë se bujqit shqiptarë, të cilët furnizojnë mjetet e tyre të punës me një nga naftat më të shtrenjta në glob.

Klan Plus