Ish-shefi i Kardiokirurgjisë dyshohet për ryshfet dhe mjekim të pakujdesshem

Disa ditë pasi Gjykata e Posaçme i ndryshoi masën e sigurisë nga pezullim detyre në arrest me burg mjekut Edvin Prifti, Prokuroria e Tiranës ka nisur një tjetër hetim ndaj tij.

Verifikimet ndaj mjekut Prifti kanë nisur pas kallëzimit të kryer nga QSUT, lidhur me një rast ku ish-shefi i Kardiokirurgjisë dyshohet se ka marrë ryshfet për të mjekuar një paciente. Sipas burimeve, drejtoria e QSUT është vënë në dijeni lidhur me një denoncim në rrjetet sociale, ku pacientja Ana Ademi akuzon publikisht mjekun se i ka kërkuar që të afërmin e saj ta dërgonte për kurim mjëksor në një spital privat.

Për këtë arsye, drejtuesit e QSUT-së kanë kërkuar dëshminë e pacientes Ademi por nuk është paraqitur, ndaj kanë referuar çështjen në Prokurori. Kjo e fundit është duke hetuar dhe një tjetër rast për mjekim të pakujdesshëm, ku një pacient ka humbur jetën në një prej spitaleve private ku mjeku Prifti punonte. Hetuesit janë në pritje të aktit të ekspertimit, për të përcaktuar shkaqet e vdekjes.

 Prokuroria e Tiranës gjithashtu është duke hetuar dhe një tjetër kallëzim nga vetë mjeku kundër një shtetasi me emrin Leonard, për të cilin dyshohet se e ka kërcënuar me jetë.

Mjeku i njohur Edvin Prifti akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, pasi në banesë dhe në zyrë ju gjeten 250 mijë euro dhe 160 milion lekë të vjetra. Emri i tij u përmend nga Sekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakucu e cila pretendon se i ka dhënë 2mijë euro ryshfet për ti operuar të ëmën pa radhë.

Në dosjen e SPAK kardiologu i njohur nuk ka asnjë komunim të tij, por përmendje nga persona të tjerë. Prifti tha para se të arrestohej që sulmi ndaj tij është politik.

Klan News