Një vajzë e re 20-vjeçare ka humbur jetën teksa përdorte celularin në dush gjatës kohës që e kishte në karikim. Ngjarja raportohet të ketë ndodhur në kryeqytetin rus, Moskë. Vajza e quajtur Anastasia u gjet e vdekur në banjë nga e ëma e saj.

Nga njëra dorë mbante celularin që e kishte në karikim, ndërsa nga dora tjetër prizën e dushit. Vdekja e 20-vjeçares është rasti i fundit i vajzave të reja në Rusi që humbasin jetën nga korrenti teksa përdorin celularin në dush. Autoritetet ruse kanë bërë paralajmërime të shumta lidhur me këto ngjarje të rënda që kanë ndodhur.

Sipas ekspertizës, Anastasia humbi jetën nga një goditje e fortë elektrike. Nëna e 20-vjeçares tha për mediat vendase se fillimisht besonte se vajza e saj kishte humbur ndjenjat dhe lajmëroi ndihmën e shpejtë. Por mjekët që mbërritën me shpejtësi në banesën e tyre, konstatuan vdekjen e vajzës dhe nuk mund të bënin asgjë.

Një javë më parë, një 14-vjeçare ndërroi jetë për shkak se telefoni i ra nga dora gjatë kohës që ndodhej në vaskë. Muajin e kaluar, një vajzë 12-vjeçare humbi jetën në qytetin Norilsk duke përdorur celularin në dush. Në muajin Dhjetor, një sportiste 15-vjeçare humbi jetën për të njëjtin shkak.

/tvklan.al