“Qeveria përmes Ministrisë së Arsimit ka bërë gati projektvendimin që i hap rrugë krijimit të kartës së studentit. Përmes këtij pr/vendimi ngarkohen njësitë vendore që të krijojnë kartën e studentit”.

Me anë të kësaj karte, studentët do të përfitojnë shërbime me kosto të reduktuar apo tarifë zero nga entet shtetërore, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe subjekte të tjera publike dhe private. Me këtë kartë, studentët pritet të marrin çmim të reduktuar të biletave të transportit urban, shërbime dentare, e shumë kategori të tjera deri edhe në Teatër, që do të mbulohen nga buxheti i ministrive, sipas fushave përkatëse.

Ky propozim i Ministrisë së Arsimit, pjesë e paktit për universitetin, pritet të miratohet në Këshillin e Ministrave. Në bazë të Ligjit për Arsimin e Lartë, karta e studentit duhet të nxirrej nga vetë universitetet, por pas protestës së studentëve ky proces u mor përsipër nga vetë qeveria e cila po ia delegon pushtetit vendor. Bashkia e Tiranës është e para që ka ngritur grupin e punës për krijimin e kartës së studentit në rang kombëtar. Kryetari Veliaj ka premtuar se brenda këtij muaji do të prezantohet ky dokument unik për studentët.

Me përdorimin e kartës së studentit, si dokument unik, të rinjtë do të përfitojnë shërbime në rreth 10 fusha. Përveç kësaj, parashikohet që studentët të përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara dhe në vendet e Bashkimit Evropian. Karta e studentit do të bëhet pjesë e projekteve ndërkombëtare, përmes marrëveshjeve që lidhen nga ministria përgjegjëse për arsimin dhe organizatat ndërkombëtare që administrojnë projektet ndërkombëtare.

Tv Klan