Kartolinat e veçanta të politikanëve shqiptare për festat e fundvitit-(31 Dhjetor 2005)
Fletë shumëngjyrëshe të palosura me kujdes me dizenjo të zgjedhura posaçërisht për urimet e fundvitit. Këto janë disa nga modelet që autoritetet dhe politikanët shqiptarë kanë zgjedhur për të thënë, “Gëzuar festat”.
Shumica e kartolinave identifikojnë që në faqen e parë institucionet, ndërsa në brendësi të gjitha kanë firma e dërguesve VIP.
Çifti kryeministror e ka përcjellë me shkrim urimin për një vit të mbarë 2006 duke vënë në një sfond të bardhë të gjithë imazhin e godinës qeveritare.
Në kartolinën e kryeministrit Berisha me shumë finesë një mbështjellëse transparente mbulon pamjen e kryeministrisë dhe duket se këtë model ka preferuar ta mbajë kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli, por edhe disa anëtarë të kabinetit qeveritar mes të cilëve ministri Basha.
Ndryshe janë kartolinat e ministrit Gjana apo Ruli, të cilët respektivisht kanë përzgjedhur Syrin e Kaltër në Sarandë dhe një pamje të qytetit të gurtë të Gjirokastrës.
Urimet janë shoqëruar në shumicën e rasteve nga firmat e politikanëve, stafet e të cilëve janë përpjekur të sjellin gjetje në pamjet e kartolinave të Vitit të Ri.
E tillë është kartolina e Ministrit të Kulturës, Leskaj, i cili ka sjellë në një përmasë relativisht të madhe një pjesë të bregdetit nga vjen, duke i shënuar në faqen e prapme me shkrimin e tij emrin dhe firmën.
Ndërsa kjo është kartolina e kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Në dy fletë transparente janë shënuar në shumë gjuhë të botës urimet për Krishtlindjen dhe Vitin e Ri dhe në krah të saj është vënë logoja e partisë që Ilir Meta drejton.
Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka preferuar të zgjedhë pamjen e sheshit në qendër të Tiranës, ndërsa guvernatori Fullani ka përzgjedhur një monedhë në të cilën është skalitur koka e Deas së Butrintit dhe në sfond amfiteatri i qytetit të lashtë.
Të kujdesshëm janë treguar dhe përfaqësitë diplomatike që të mos i mungojnë morisë së urimeve. Komunitetet fetare, institucionet private bankare në Shqipëri, por dhe dy kompanitë e mëdha të telefonisë celulare, kartolinat e të cilëve përcjellin urimin dhe shquajnë në ngjyra imazhin e kompanive telefonike./tvklan.al