Pas kërkesave ankimore të PD-së dhe LSI-së, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ka vendosur që të marrë në cilësinë e provave, materialet zgjedhore për 24 Qendra Votimi në Qarkun e Beratit.

Gazetarja Klesiana Omeri raportoi nga KQZ-ja se deri më tani ka përfunduar procesi për 6 kuti, ndërkohë që po vijon hapja për të tjerat.

Por hapja e këtyre kutive ka evidentuar disa problematika. Gazetarja tha se bëhet fjalë për disa kuti ku kanë munguar regjistrat e votuesve.

“Ka qenë një pretendim i LSI-së që ka kërkuar të jenë edhe regjistrat me argumentin se kanë munguar në disa prej kutive ku janë hapur”, u shpreh gazetarja.

Ndërkohë përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste ka kërkuar që procesi i hapjes së kutive të shkojë deri në fund dhe më pas të bëhet një bilanc. Vetëm pas këtij bilanci pretendojnë socialistë mund të vendoset për rinumërim ose ripërsëritje të procesit të numërimit në Berat.

Përfaqësuesi ligjor i LSI-së kërkoi që të bëhej një fotokopje e listave të zgjedhësve për të bërë kryqëzimin e të dhënave, por kjo kërkesë u mohua nga KQZ me arsyetimin se ka të dhëna sensitive.

Në rast se do të hasen paqartësi dhe problematika në këto prova që do të marrë KAS, atëherë do të ketë rinumërim të votave në Qarkun e Beratit./tvklan.al