Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ka vendosur pranimin e kërkesës së Partisë Socialiste për të pasur fletën e votimit me numra dhe jo me emra.

Vendimi u mor këtë të shtunë me shumicë votash nga anëtarët e KAS.

“KAS në përfundim të shqyrtimeve të ankimeve kundër Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve vendosi ndryshimin për miratimin e përmbajtjes së votimit për Kuvendin eShqipërisë. Pranimin e kërkesës ankimore të paraqitur nga subjekti PS”.

Po ashtu, KAS ka vendosur edhe rrëzimin e kërkesës së Partisë Demokratike që fleta e votimit të jetë vertikale.

Opozita e cila mbështeste vendimin e komisionerit, do ta ankimojë këtë vendim të sotëm të KAS në Kolegjin Zgjedhor.

Mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste ka pasur kundërshti në lidhje me fletën e votimit. Selia blu pretendon listën me emra, ndërsa ajo rozë atë me numra.

Kryekomisioneri shtetëror, Ilirjan Celibashi, ka bërë thirrje që të gjendet kompromisi pasi në këto momente sipas tij, më shumë rëndësi ka koha se sa përmbajtja e fletës së votimit.

Një tjetër vendim që mori KAS këtë të shtunë ishte edhe ai për Bindjen Demokratike. Ky subjekt është lejuar që të depozitojë logon e saj të ristilizuar në KQZ./tvklan.al