PD: Vijojmë betejën në Gjykatën Administrative

Me të njëjtat argumente si kryekomisioneri për zgjedhjet, Ilirjan Celibashi edhe Komisioni i Ankesave e Sanksioneve ka konfirmuar në detyrë kryetarin e Bashkisë së Mallakastrës.

Në këtë mënyrë, KAS-i ka rrëzuar ankimimin e bërë nga Partia Demokratike, sipas së cilit, Qerim Ismailaj është subjekt i ligjit të Dekriminalizmit, e për pasojë nuk mund të ushtrojë funksione publike.

“Vendosi rrëzimin e kërkesës ankimore të depozituar nga PD, lënien në fuqi të vendimit nr.422 të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për shqyrtimin e rezultatit të verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme për subjektin vetëdeklarues, Qerim Ismailaj të Bashkisë Mallakastër në qarkun e Fierit”.

Demokratët paralajmëruan atakimin e këtij vendimi në Gjykatën  Administrative, me argumentin se KAS dhe KQZ-ja kanë shkelur ligjin e Dekriminalizmit.

“KQZ dhe KAS vendosën të marrin në mbrojtje shkelësit e këtj ligji të rëndësishëm për pastrimin e politikës nga krimi. Partia Demorkatike nuk i pranon këto hapa prapa dhe do ta çojë këtë çështje në Gjykatën Administrative”.

Pavarësisht dënimit në mungesë me tre vite burg nga Gjykata e Ios në vitin 2000 në Greqi për veprën penale të përleshjes, Qerim Ismailaj do të vijojë të mbajë mandatin e kryebashkiakut të Mallakastrës, pasi bazuar në argumentin e prokurorisë KQZ-ja çoi që kryebashkiaku i Mallakastrës nuk është në kushtet e ndalimit, pasi në Shqipëri për të njëjtën vepër penale do ishte dënuar me gjobë.

Tv Klan