KAS vendosi me shumicën e votave që të rinumërojë 114 kuti në Qarkun e Beratit. Me shumicë votash, anëtarët e KAS votuan këtë të enjte që kjo të bëhet “sipas listës bashkëlidhur kërkesës ankimore të subjektit LSI”.  Rinumërimi i votave do të bëhet vetëm përsa i përket votave subjekteve zgjedhore. KAS vendosi gjithashtu për numërimin e votave për kandidatët për dy kuti në Berat. Procesi i rinumërimit do të zhvillohet ditën e sotme në orën 14:00.

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve u mblodh sërish këtë të enjte, kësaj here për të shqyrtuar kërkesën e partive opozitare për rinumërim në Qarkun e Beratit. Dy përfaqësuesit e partive opozitare, PD-së dhe LSI-së, kërkuan që të rihapej çdo kuti në Berat, për të lexuar siç duhet vullnetin e qytetarëve. “Do të ishim të mendimit që të vijojmë me hapjen e të gjithë Qarkut të Beratit”, tha përfaqësuesi i LSI-së.

Por kjo kërkesë ankimore, sipas socialistëve nuk është në përputhje me Kodin Zgjedhor. Megjithatë Eridian Salianji u shpreh se është dakord që të hapen kutitë vetëm për ato që qendra votimi që janë kërkuar nga ankimuesit. Kjo sipas tij do të konfirmojë që mandati është fituar në mënyrë të rregullt.  

“Për të hequr çdo dyshim mbi procesin e vlerësimit të votave në Berat, biem dakord që të hapen kutitë e kërkuara në kërkesën ankimore të ankimuesit, pavarësisht se jemi të mendimit që mandati nuk do të ndryshojë. Por rikthesoj që ky mandat me këtë proces që do të zhvillojmë do të konfirmojmë që është një mandat i fituar konform rregullave ligjore”, tha ai./tvklan.al