Lulzim Basha i quan trillime e gënjeshtra kundra tij, reagimet e Kryeministrit Edi Rama, i cili më herët kërkoi prej tij që t’i sqaronte publikut rolin që ka pasur në masakrën e Krushës.

Në një postim në Facebook, Basha shkruan se “ndërsa Rama merret vetëm me trillime dhe gënjeshtra kundër meje, ekonomia jonë është në kolaps. Studimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar tregon se Shqipëria është ekonomia më pak e kredituar në Ballkan”.

“Për 7 vite me radhë Rama e shkatërroi ekonominë. Kjo është arsyeja pse Rama nuk jep ndihmë financiare për familjet që vuajnë nga kriza. Shqipëria është vendi që u jep më pak ndihmë ekonomike qytetarëve të saj!

Ne do ta ndryshojmë këtë. Ne do ndihmojmë të gjithë qytetarët, biznesin, të vetëpunësuarit, dhe do të sigurojmë ndihmë financiare për çdo familje. Bashkë do sjellim shpresë të re për Shqipërinë!”, thotë Basha.

Kaseta e masakrës së Krushës është kthyer në një temë debati në Shqipëri së fundmi, kjo pasi personi që e regjistroi, Milaim Bellanica, pretendoi se i ka dhënë kopjen origjinale kreut të opozitës shqiptare, Lulzim Basha, i cili asokohe punonte për Gjykatën e Hagës.

Pikërisht për këtë çështje, më herët Rama reagoi duke thënë se nuk po e akuzonte Bashën, por heshtja e kryeopozitarit si dhe shmangia nga ballafaqimi e kanë kthyer në të akuzuar.

Kreu i qeverisë i kërkoi Bashës t’i sqarojë publikut se çfarë roli ka pasur në këtë ngjarje. Rama shkruajti se bëhet fjalë për një çështje publike me interes kombëtar e nuk flitet vetëm për jetën private të kryeopozitarit.

*Masakra e Krushës së Madhe është një nga masakrat që kreu ushtria serbe gjatë Luftës së Kosovës mbi popullatën civile shqiptare në Kosovë. Masakra u krye më 25 Mars 1999 në fshatin Krushë e Madhe, në afërsi të Rahovecit, një ditë pas fillimit të bombardimeve të Jugosllavisë nga NATO dhe la rreth 243 viktima, ndërsa 63 nga viktimat mbeten të zhdukura./tvklan.al