Kashari në Tiranë do të jetë një zonë e lirë ekonomike. Sipas kryebashkiakut Veliaj, hapësira prej 80 hektarësh do të jetë në dispozicion të investitorëve strategjikë, për t’i dhënë një impuls tjetër zhvillimit ekonomik të gjithë qytetit.

“Jemi në fazën ku po marrim të drejtat mbi pronën dhe po bëjmë të gjithë legjislacionin që të licencohemi si një autoritet i cili ka një zonë të lirë ekonomike. Për të gjitha kompanitë që e kanë pasur dhimbje koke ekspansionin në Shqipëri për shkak të problemeve me pronat, ky është një lajm i mirë”.

Gjatë forumit të parë ekonomik që u mbajt në Tiranë, kreu i Bashkisë foli edhe për lehtësitë e krijuara nga qeveria për biznesin.

“Paketa që kryeministri dhe qeveria shqiptare kanë ofruar për të bërë biznes është ndoshta një ndër më tërheqëset, jo vetëm për ata që marrin statusin e investitorit strategjik, por sigurisht edhe për ata që mund të fillojnë edhe një biznes të vogël, me një maksimum të taksave deri në 15%, ku shumë miq përtej Adriatikut në anën tjetër të pellgut shkojnë deri në 60% për të njëjtin biznes edhe për të njëjtën linjë prodhimi ose veprimtarie”.

Bashkia e Tiranës do të krijojë shumë shpejt edhe shkollën më të madhe në Ballkan, për teknologjinë e informacionit, ku 5 mijë fëmijë mund të përgatiten për profesionet dhe sfidat e së ardhmes.

Tv Klan