Balluku: Është mirëmenaxhuar si asnjëherë më parë

Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile se situata në kaskadën e Drinit është mbajtur nën kontroll. Ai kujtoi përmbytjet në të kaluarën në atë zonë, ndërsa thumboi edhe qeverinë e shkuar për papërgjegjshëmri dhe paaftësi në administrimin e kaskadës.

“Nuk u tha sepse faktikisht nuk kishte si të thuhej për shkak të specifikës së vet, por që duhet thënë për shkak të rëndësisë së vet është pikërisht administrimi i Kaskadës në funksion të domosdoshmërisë për të pasur maksimalisht nën kontroll të gjithë këtë prurje dhe patjetër në funksion të kujtesës së mirë që të mos përsëriten ngjarje dramatike që për fat të keq kanë ndodhur në të shkuarën jo dhe aq shumë të largët, të cilat kanë shkaktuar dëme të jashtëzakonshme si rezultat i papërgjegjshmërisë dhe paaftësisë në administrimin e kaskadës. Për këtë aspekt specifik, por edhe të rëndësishëm nga pikëpamja e informimit të qytetarëve dhe domosdoshmërisë për të shpërndarë mjegullën që krijohet shpesh për shkak të dezinformimit”, tha Rama.

Ndërkohë ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha se situata në kaskadën e Drinit është mirëmenaxhuar si asnjëherë më parë. 

“Numri i prurjeve metër katrorë që kemi prurje është 4290 metra kub në sekond. Totali i shkarkimeve në Vaun e Dejës është 22% e prurjes. Kaskada ka frenuar të gjithë prurjen që derdhet në luginën e Shkodrës dhe të Lezhës. Dua ta theksoj se është mirëmenaxhuar si asnjëherë më parë situata në kaskadën e Drinit”, tha ajo./tvklan.al