Lajme Arkiva 2003

Kastriot Islami: Jam i detyruar të flas shkurt dhe me letër kështu që do ju drejtohesha të nderuar punonjës dhe drejtues të Ministrisë së Financave, të nderuar përfaqësues të medias…

Pak i ngushtë kostumi i diplomacisë shqiptare për ish ministrin e sprovuar prej dy vjetësh më financat kombëtare. Ministri Kastriot Islami ka lënë pas termat teknik duke u bërë të qartë që në fillim punonjësve të Ministrisë së Jashtme politikën e re diplomatike të qeverisë.

Më shumë shërbim ndaj qytetarëve shqiptarë, integrimi në rajon dhe strukturat euroatlantike pa harruar sfidat e marrëveshjes së asociim stabilizimit në Bashkimin Evropian.

Kastriot Islami: Politika jonë e jashtme ka arritur të ruaj me sukses pozita të qëndrueshme me aleatët e saj strategjik pavarësisht dinamikave konjukturale ndërkombëtare.

Në ditën e ndërrimit të viteve, Ministria e Punëve të Jashtme, pajiset me drejtues pas 5 muajve mungesë. Edhe pse prezantuesi i ballafaqimit të parë të ministrit Islami me stafin punonjës, numri 2 i qeverisë Namik Dokle, pranoi se zëvendës ministri Luan Hajdaraga ka patur peshën e duhur ndaj nuk është ndier boshllëku i krijuar në 18 korrik, pas largimit të ish ministrit të Jashtëm Ilir Meta.

Namik Dokle: Ka ditur të plotësoj atë boshllëk që ne e kemi patur në Ministrinë e Jashmte dhe besoj se përvoja e zotit Hajdaraga, përvoja e të gjithë paraardhësve të zotit Islami dhe bashkëpunimi me ju, do të japë rezultatet dhe frytet që ne i dëshirojmë dhe besojmë se do i arrijmë./tvklan.al