Kat shtesë pa leje, shpallet në kërkim ish-zyrtari i Bashkisë së Lezhës

Kat shtesë pa leje, shpallet në kërkim ish-zyrtari i Bashkisë së Lezhës

11:04 14/11/2020

Arrestohet pronari i objektit, në kërkim edhe 1 specialist i Drejtorisë së Planifikimit të Territorit dhe Zhvillimit Urban

Ish-drejtori i Drejtorisë së Planifikimit të Territorit dhe Zhvillimit Urban në Bashkinë Lezhë është shpallur në kërkim nga autoritetet pas një hetimi 3-javor për shpërdorim detyre dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

47-vjeçari S.T. është shpallur në kërkim sëbashku me specialistin e kësaj drejtorie, 41-vjeçarin N.C. Në pranga është vendosur 46-vjeçari F.N, pronar i një ndërtese në Shëngjin.

Sipas informacioneve të policisë, pronari i arrestuari kishte ndërtuar në mënyrë të paligjshme një kat shtesë në hotelin e tij 7-katësh  në kundërshtim me vendimin e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit. Mësohet se ai ka ndikuar në mënyrë të paligjshme kundrejt premtimit dhe përfitimit material tek shtetasit S. T., N. C. dhe A. M., për procedurën e miratimit të lejes së ndërtimit.

Ndërkohë është proceduar në gjendje të lirë një 32-vjeçare, me detyrë përgjegjëse sektori në Drejtorinë e Planifikimit të Territorit dhe Zhvillimit Urban në Bashkinë Lezhë.

“Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shpërdorim detyrë” e kryer në bashkëpunim për shtetasit S. D., N. C., A. M., dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ndërtim i paligjshëm” për shtetasin F. N”, thuhet në njoftimin e policisë së Lezhës. /tvklan.al





Të ngjashme