Tani në javën e saj të dytë, beteja midis militantëve të Hamasit dhe ushtrisë izraelite e ka zhytur Gaza-n në një krizë humanitare që ndikon pothuajse në dy milionë banorët e enklavës. Dhjetëra shkolla janë dëmtuar ose janë mbyllur, mungon uji i pijshëm, ndërsa sulmet e Izraelit kanë shkatërruar rrjetin e kanalizimeve dhe ujërat e zeza po rrjedhin nëpër rrugë.

Sulmet ajrore dëmtuan impiantin e trajtimit të ujit të pijshëm që furnizon 250 mijë banorë. Rreth 72,000 banorë të Gazës janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Deri tani nga luftimet të paktën 213 palestinezë janë vrarë, përfshirë dhjetëra fëmijë. Në një nga shembujt më goditës të shkatërrimit, sulmi ajror izraelit ndaj të vetmit laborator në Gaza që përpunon testet e koronavirusit.

“Ndodhemi në këtë situatë prej të paktën 20 vjetësh, aq shumë kohë ka kaluar sa nuk më kujtohet saktësisht. Fëmijët vuajnë nga ankthi, kanë frikë të flenë në shtëpi. Siç mund ta shiheni po flemë në një vendstrehim me shpresën se gjendja do të përmirësohet dhe më pas do të jemi në gjendje të jetojmë normalisht,” thotë 30-vjeçari Natanel Sharvit, baba i katër fëmijëve nga Ashkelon.

Palestinezët në Izrael, Bregun e pushtuar Perëndimor dhe në Gaza hynë në grevë të martën, një shfaqje e rrallë bashkimi për të protestuar ndaj trajtimit të tyre nga Izraeli. Arabët në të gjithë botën gjithashtu po përdorin mediat sociale për të folur kundër veprimeve të Izraelit.

“Greva nuk është vetëm kundër përshkallëzimit të konfliktit, por kundër dhunës dhe pastrimit etnik në Sheikh Jarrah dhe kudo tjetër. Ne jemi ngritur në këmbë kundër këtij sistemi”, thotë banorja e Nazaretit Zahra Azaydi.

Ka disa shenja që Izraeli dhe Hamasi mund të lëvizin drejt një armëpushimi, me Egjiptin dhe Kombet e Bashkuara që punojnë në prapaskenë për të “rivendosur qetësinë”, thotë një diplomat i përfshirë në bisedime. Ndërkohë ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian bënë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.

Klan News