Si radhë herë, Kupa e Shqipërisë nuk ka dhuruar surpriza në raundin gjysmëfinal të saj. Katër ekipet e kualifikuar në këtë tur janë në garë për të dy trofe këtë sezon, atë të titullit kampion në Superligë dhe tashmë Kupën.

Egnatia, Vllaznia, Partizani dhe Dinamo shmangën befasitë, me dinamovitët që realizuan përmbysjen e madhe.

Skuadrat në garë kanë fituar në total 38 trofe të Kupës, me Partizanin që do kërkojë të barazojë Tiranën në këtë renditje speciale. Deri më tani, Demat e kuq kanë triumfuar në 15 edicione, e fundit në vitin e largët 2004.

Partizani ka shansin e madh për tu rikthyer tek lavdia edhe pse në gjysmëfinale do të mas forcat me një prej skuadrave që me shumë gjasa do jetë në garë edhe për titullin kampion.

Në këtë renditjes speciale, Dinamo ka fituar në total 13 trofe, ndërsa synon të ngre lart Kupën që mungon që prej vitit 2003. Pasi fitoi 2 edicionet e shkuara, Egnatia kërkon vazhdimësinë. Rrogozhinasit duan tripletën radhazi në një kompeticion ku vitet e fundit nuk ka pasur rival.

Kampionët në fuqi janë edhe një “kockë” e fortë në këtë edicion, pasi kryesojnë renditjen e Superligës dhe kandidate për të fituar dy trofetë në fund të sezonit. Jo pa vështirësi u kualifikua Vllaznia.

Shkodranët kërkuan ndihmën e 11 metërshave për të eliminuar një rival si Elbasani.

Klan News