Përplasja e mjeteve nga parakalimi i gabuar dhe lëvizja kundravajtje

Dy aksidente të rënda janë regjistruar pasditen e të shtunës në Lezhë dhe në Vlorë ku kanë mbetur të plagosur 4 persona. 3 prej tyre mbetën të lënduar pas përplasjes së mjeteve në në aksin rrugor Lezhë-Shkodër, në vendin e quajtur “lagja e ish-frutores”.

Në këtë aksident janë përfshirë tre automjete, ndërsa raportohet për të paktën dy të plagosur më rëndë, të cilët janë dërguar në spitalin rajonal të qytetit. Në vendin e ngjarjes policia nisi punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve të këtij aksidenti.

Paraprakisht sipas burimeve mësohet se shkak për aksidentin e rëndë të jetë bërë parakalimi gabuar i njërit prej mjeteve. Aksidenti i rëndë ka shkaktuar trafik të rënduar të automjeteve që udhëtonin nga Shkodra drejt Lezhës dhe anasjelltas.

Aksidenti tjetër i rëndë u regjistrua rreth orës 15:45 në Novoselë. Një makinë tip “Land Rover” që po lëvizte  kundravajtje është përplasur kokë më kokë me një motor, që ishte në drejtimin e tij në pjesën e nënkalimit.

Drejtuesi i motorit mësohet se është plagosur rëndë dhe është dërguar në spitalin e Vlorës për ndihmë mjekësore. Ndërkohë policia ka ndaluar drejtuesin e makinës dhe ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Klan News