Një aksident i rëndë që ka ndodhur rreth mesnatës në Fushë-Prezë ku për pasojë kanë humbur jetën 4 të rinj, Enejdi Laçi 25 vjeç, Erildi Laçi 20 vjeç, Enrikejd Kurti 24-vjeç dhe Andi Laçi 22 vjeç, ka tronditur opinionin publik.

Gazetarja e Klan News, Glidona Daci e cila ndodhet në vendngjarje sjell më shumë detaje nga ky aksident tragjik. Gazetarja bën me dije se shkaku kryesor që dyshohet të ketë qen për aksidentin ëhstë shpejtësia e lartë e automjetit që ndodheshin katër të rinjtë. 

Gjithashtu mësohet se po hetohet edhe nëse betoniera me të cilën është përplasur automjeti ka pasur sinjalistikën e duhur për tu identifikuar.

“Shpejtësia me të cilën po udhëtonte automjeti ka qenë shumë e madhe, ka qenë maramendëse sipas informacioneve që ne kemi nga ana e strukturave të policisë. Gjithsesi është duke u verifikuar pjesa edhe nëse nga ana e kompanisë betoniera ka pasur apo jo sinjalistikën përkatëse në mënyrë që të bëhej e mundur identifikimi apo dallimi i qartë i saj edhe pse shpejtësia me të cilën 4 të rinjt kanë qenë duke udhëtuar ka qenë shumë e madhe sipas informacioneve nga policia”, raporton gazetarja Daci.

Siç duket edhe nga pamjet, një pjesë e mbetjeve të automjetit që lëviznin të rinjtë ka mbetur në pjesën e pasme të betonierës, e cila sapo kishte dalë nga pjesa e vendit ku është ngarkuar me beton.

Ndërkohë automjeti me të cilin lëviznin katër të rinjtë ka qenë me impiant gazi gjë që ka bërë që nga goditja e fortë, mjeti të përfshihet nga flakët.

Policia më herët bëri me dije se, nga shërbimi i qarkullimit rrugor është konstatuar një automjet i cili kishte marrë flakë dhe para tij qëndronte një automjet betoniere.

Nga hetimet e kryera rezultoi se automjeti drejtohej nga njëri prej vëllezërve Laçi 25-vjeçar dhe dyshohet se është përplasur me automjetin betoniere të drejtuar nga 24-vjeçari Aleksandër Krrashi, i cili pas aksidentit ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

/tvklan.al