Katër të vdekur nga stuhia që goditi Francën dhe Italinë



Katër të vdekur nga stuhia që goditi Francën dhe Italinë

14:35 05/10/2020

Të paktën katër njerëz kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë janë raportuar të zhdukur, pasi përmbytje të mëdha kanë goditur Francën jug-lindore dhe Italinë veri-perëndimore. Stuhia Aleks, thuhet se solli reshje pothuajse një vjeçare në më pak se 12 orë gjatë fundjavës në Nice të Francës dhe zonave rreth saj.

Stuhia u shoqërua me erëra të ashpra dhe shi të rrëmbyeshëm, e më pas u zhvendos në Italinë veriore ku gjithashtu janë parë reshje rekord.

Dhjetëra shtëpi janë shkatërruar dhe shumë njerëz kanë mbetur në rrugë, në rajonin kufitar malor me Italinë. Edhe zonat bregdetare në Rivierën Franceze duken të shkatërruara me plazhe të mbushura me mbeturina stuhie.

Ndërkohë, punonjësit e shpëtimit po rrisin përpjekjet e tyre të kërkimit mes frikës se të paktën 20 njerëz mund të jenë zhdukur.

Rreth 1.000 zjarrfikës janë vendosur së bashku me helikopterë dhe ushtarë në rajonin jug-lindor të Alpeve-Detare dhe po vazhdohet kërkimi për tetë persona, të cilët u panë duke u tërhequr nga ujërat e përmbytjes.

Në total, deri tani zjarrfikësit kanë shpëtuar më shumë se 500 njerëz, dhe janë rreth 150 të tjerë që kanë nevojë të evakuohen./tvklan.al





Të ngjashme